Sot tema për seancën e psikoedukimit ishte: “Lodra dhe loja si pjesë e ndërhyrjes edukative”.
Bashkëbisedim me nënat lidhur me lojrat konkrete që ato zhvillojnë me fëmijët e tyre, nëse ato kryejnë lojra funksionale me ta.
U vu theksi në shmangjen e telefonit, në kohën cilësore që duhet të kalojnë me fëmijën dhe angazhimi i nënave në proces.
A luajnë fëmijët me nevoja të veçanta ndryshe nga fëmijët e tjerë, përfitimet nga loja, përdorimi i lojës në funksion të mësimit të një aftësie të caktuar, stimulimi i fëmijës për të kryer saktë një veprim ishin disa elementë të tjerë të trajtuar gjatë seancës.
Krijimi i marrëdhënieve sociale dhe stimulimi i ndërveprimit verbal e jo verbal si pjesë e rëndësishme e procesit të lojës. Lojrat në mjedisin e jashtëm, element i stimulit pozitiv për rritjen e ndërveprimit social dhe përfitime të tjera bazike por të domosdoshme për fëmijën. Pika të tjera të prezantimit ishin lojrat senso motore, lojrat ndërtuese dhe lojrat pretenduese.
Nënat ishin pjesë aktive duke bashkëbiseduar, duke shtruar pyetje si dhe duke shprehur mirënjohje për punën e bërë nga stafi për fëmijët e tyre.